Kërkimi dhe paracaktimi i vizitës në arkiva, tashmë do të bëhet online

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prezantoi revolucionin më të madh të rrjetit Arkivor Kombëtar këto 27-vjet, aplikacionin online për studiuesit që dëshirojnë të studiojnë në Arkivin Qëndror Shtetëror me një inventar prej 2 milion titujsh, rezultat i deritanishëm i projektit të digjitalizimit të fondit të AQSH.

I gjithë ky proces është pjesë e axhendës digjitale 2015-2020 e cila ka dhe në thelb rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Në këtë prezantim ishte e pranishme Ministria e Kulturës znj. Mirela Kumbaro.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido shprehu kënaqësinë të prezantojë këtë revolucion, përsa i përket shërbimit në Arkivin Qendror Shtetëror, dy aplikacione të cilat mundësojnë digjitalizimin e plotë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

“Së pari, ne prezantojmë katalogun online me 2 milion tituj dosjesh, të cilat mund të aksesohen lirisht nga kushdo për të marrë informacionin historik që i nevojitet çdo studiuesi për të studiuar në sallën e studimit.

Së dyti, një aplikacion me anë të të cilit mundësohet që të paracaktohet vizita në sallën e studimit, dosjen që dëshiron një studiues që të shohi dhe me garancinë e plotë që do ta gjej dosjen mbi tavolinë kur të vij për të studiuar” – tha ai.

Ky shërbim ka nevoj për një rregjistrim që qytetari mund ta bëjë edhe nga shtëpia vetëm duke futur të dhënat personale.

Znj. Kumbaro përgëzoi z. Bido dhe Arkivin e Shtetit për këtë risi, “Urime Arkivit për këtë instrument të ri që futi dhe që përmirësoj shërbimin për qytetarët”, tha ajo. Znj. Kumbaro u rregjistrua si studiuesja e parë në aplikacionin e ri.

lidhjen e aplikacioneve e gjeni në: new.albarchive.gov.al

arkiva2016Kërkimi dhe paracaktimi i vizitës në arkiva, tashmë do të bëhet online