Përmirësohet shërbimi i përgjigjeve të kërkesave pronësore dhe biografike

Pas revolucionit në shërbimin e dokumenteve në sallë për studiuesit, me anë të dy aplikacioneve online të prezantuara para pak ditësh, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të përmirësojë edhe shërbimet për kërkesat pronësore dhe biografike për qytetarët, duke nisur nga data 1.9.2017.
Afati standard i përgjigjeve për kërkesat biografike do të bëhet 15 ditë nga 23 që ka qenë deri më sot, sërish nëpërmjet parimit ndërkombëtar arkivor të “kërkimit me pagesë”. Pra, qytetarët do të aplikojnë nga çdo cep i Shqipërisë në filialet qendrore të Postës Shqiptare dhe 15 ditë më vonë do të marrin përgjigjen po me postë për kërkesat biografike.
Ndërkaq, prej datës 1 shtator 2017, futet edhe aplikimi me procedurë të përshpejtuar, që mund të bëhet pranë Arkivit Qendror Shtetëror, ose Arkivave Shtetërore Vendore, ku ruhet dokumentacioni. Procedura e përshpejtuar bëhet me tarifë të diferencuar nga procedura standard dhe përgjigja jepet:
5 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesat pronësore
3 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesat biografike joshkollore
Dhe brenda një dite pune për kërkesat biografike shkollore.
Këto ndryshime vijnë në shërbim të qytetarëve, të cilët kanë arsye objektive, për të marrë një përgjigje të shpejtë, duke ruajtur njëkohësisht parimin ndërkombëtar arkivor të kërkimit me pagesë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka ruajtur tarifa të njëjta prej më shumë se 10 vitesh, edhe pse shumica e tarifave zyrtare në vend janë rritur prej asaj kohe. Po ashtu, janë tarifa të njëjta me vendet e tjera për shërbimin arkivor. Tarifat standard të aplikimit janë 500 lekë për kërkesat biografike dhe 1500 lekë për kërkesat pronësore, ndërsa për procedurën e përshpejtuar janë 4000 lekë për kërkesat biografike dhe 10 mijë lekë për kërkesat pronësore.

arkiva2016Përmirësohet shërbimi i përgjigjeve të kërkesave pronësore dhe biografike