Çelet ekspozita “Saranda në dokumentet arkivore”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Sarandës çelën në shëtitoren kryesore të qytetit ekspozitën “Saranda që kishim – Saranda në gjysmën e parë të shek. XX”.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z. Ardit Bido, vlerësoi bashkëpunimin me pushtetin vendor për promovimin e vlerave të historisë sonë. “Nisma ‘Arkivi në Bregdet’ vijon sot me këtë ekspozitë që pasqyron zhvillimin e hershëm të një prej qyteteve më të bukura të Shqipërisë, përpara ndryshimit të vrullshëm urban të dekadave të fundit. E kaluara na frymëzon, ndaj duhet ta pasqyrojmë atë sa më shumë.”

Nënkryetari i Bashkisë së Sarandës, z. Robert Piro falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për këtë bashkëpunim të frytshëm dhe vlerësoi rëndësinë e promovimit të këtyre vlerave.
Në ekspozitë paraqiten dokumente historike dhe fotografi të Sarandës dhe zonave përreth, duke u përqendruar në gjysmën e parë të shek. XX.

Përmes tyre vizitorët ftohen të bëjnë një udhëtim të shkurtër në kohë, mes fotografive të vjetra të qytetit, dhe mes dokumenteve që tregojnë zhvillimin e Sarandës nga një port modest i Jugut, në një qendër urbane. Ekspozita do të qendrojë hapur gjatë gjithë gushtit në shëtitoren e Sarandës.

arkiva2016Çelet ekspozita “Saranda në dokumentet arkivore”