Çelet ekspozita në përkujtim të 30 vjetorit të vdekjes së poetit Lasgush Poradeci

“Dh’i nginj-ah! zogjtë-e vdes me gas…”, ekspozitë kushtuar Poetit Lasgush Poradeci, në 30 vjetorin e vdekjes së tij.

Më 12 nëntor (2017), në kuadrin e një takimi mes studiuesish e dashamirësish të letërsisë së Poetit Lasgush Poradecit, u çel në Pogradec, në mjediset e Hotel Enkeleana ekspozita “Dh’i nginj-ah! zogjtë-e vdes me gas!”, në kujtim të 30 vjetorit të ndarjes nga jeta të Poetit . Për këtë ekspozitë u përdor lënda arkivore e sapo dhuruar (maj 2017) Arkivit Qendror të Shtetit nga bijat e Poetit, Kostandina dhe Marie Gusho. Qëllimi i ekspozitës ishte të njihte publikun e gjerë me “laboratorin” artistik të intelektualit dhe studiuesit Lagush Poradeci. Në 11 stendat e ekspozitës paraqitet jo vetëm Lasgushi Poet, por edhe Dr. Lasgush Poradeci si filolog dhe kritik letrar, përgatitës i një sërë punimesh kritike për Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Asdrenin apo Risto Siliqin; Dr. Lasgush Poradeci si mbledhës fjalësh të rralla (të cilat, më pas, i hasim në vargjet e tij), por edhe si vëzhgues i ndërgjegjshëm i shtypit letrar të kohës, ku vëren jehonën e verbit “lasgushian”, teksa fjalët apo stili i tij riprodhohet nga poetë të tjerë; Dr. Lasgush Poradeci si përkthyes i Goethe-s, Henric Haine-s, Robert Burns-it, Pushkinit.

Pjesë e ekspozitës ishin dhe fragmente nga korrespondenca e tij me miq e bashkëpunëtorë, fotografi të ndryshme, disa prej fletoreve të shënimeve gjatë kohës së studimeve në Bukuresht dhe Graz, dhe pak dokumente personale, si pasaporta e kohës kur shkoi si gjimnazist në Athinë, apo libreza e Liceut Francez të Athinës.

Ekspozita u përgatit nga arkivistët Sokol Çunga dhe Larisa Neziri të Sektorit të Promovimit dhe Komunikimit, në Drejtorinë e Evidencës Qendrore dhe të Komunikimit, të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, dhe u realizua me mbështetjen e arkivistes Entela Gusho të DRASh Korçë – Dega Pogradec. Gjatë ditëve në vijim ekspozita do të vendoset në mjediset e DRASh Korçë – Dega Pogradec, ku do të qëndrojë e çelur për publikun si ekspozitë permanente.

arkiva2016Çelet ekspozita në përkujtim të 30 vjetorit të vdekjes së poetit Lasgush Poradeci