Konferenca e Dytë Mbarëkombëtare e Arkivistikës – 9 qershor 2018

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia e Arkivave të Kosovës, po vijojnë bashkëpunimin e tyre, me qëllim unifikimin e praktikave arkivore në të gjitha viset shqiptare.
Më 9 qershor 2018, do të zhvillohet në Prishtinë, Konferenca e Dytë Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që synon të kthehet në traditë, pas konferencës së parë mbarkombëtare të zhvilluar vjet në Tiranë.
Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë bashkë arkivistët e Shqipërisë dhe të Kosovës, arkivistët shqiptarë të viseve jashtë Shqipërisë, por që veprojnë ndër shqiptarë, nga Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe të tjerë arkivistë që punojnë apo studiojnë në fushë të arkivistikës.
Temat që propozohen për diskutim lidhen specifikisht me arkivistikën, por edhe me historinë e arkivave apo institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse.
Veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, ftesa për pjesëmarrje u drejtohet të gjithë profileve të tjerë të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë me ruajtjen e kujtesës kolektive.
Viti Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu është një shans i artë për të gjithë arkivistët dhe historianët për të përafruar praktikat profesionale në viset kombëtare.
Prandaj, Drejtoria e Përgjtihshme e Arkivave u bën thirrje të gjithë studiuesve të bashkohen në këtë përpjekje për të trajtuar historinë kombëtare njëjtrajtshmërisht pavarësisht kufijve politikë.

arkiva2016Konferenca e Dytë Mbarëkombëtare e Arkivistikës – 9 qershor 2018