Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave

Ardit Bido

Ardit Bido ka mbrojtur gradën «Doktor i Shkencave» në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, lëmë në të cilën ka kryer edhe studimet Master. Ciklin e parë të shkollës së lartë e ka përfunduar për Gazetari në të njëjtin universitet. Punimet akademike përfshijnë studime të botuara në revista shkencore brenda e jashtë vendit, kumtesa të referuara në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, si edhe dy monografi: “Kisha Ortodokse Shqiptare: një histori politike (1878-1937)” dhe “Koncesioni editorial i medias shqiptare”.

Ardit Bido ka një përvojë disavjeçare në shtypin e shkruar dhe mediat audiovizive, përfshi drejtimin e redaksive të lajmeve të «TV Ora News», gazetës «Standard», gazetës «Kombëtare», etj. Po ashtu, ai ka menaxhuar departamentet e komunikimit të disa institucioneve akademike, shtetërore dhe private. Prej vitit 2012, është pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës dhe pranë Universitetit Metropolitan Tirana. Ai ka pasur angazhime publike dhe komunitare, përfshi drejtimin e disa organizatave rinore, pjesëmarrjen në borde drejtuese universitare e kërkimore dhe zgjedhjen si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Njësisë nr. 9 në Tiranë.

Ardit Bido ka ndjekur një seri kursesh e trajnimesh profesionale lidhur me komunikimin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të organizuara nga NATO, Ambasada Amerikane në Tiranë, etj., në Shqipëri, Belgjikë, Luksemburg, Serbi, e disa vende të tjera. Përveç gjuhës amtare shqipe, zotëron gjuhët angleze e greke dhe ka njohuri të gjuhëve italiane e franceze. Ardit Bido është lindur në Sarandë më 20 korrik 1987 dhe është babai i një vajze, Deas.

arkiva2016Drejtori i Përgjithshëm