Fonoteka

Fototeka e AQSh-së, si pjesë e rëndësishme e arkivave zanorë shqiptarë, për nga hershmëria e dokumenteve zanore që ajo ruan, vlerësohet si një prej më të vjetrave në rajonin tonë e më gjerë.

Janë mbi 18 mijë disqe, me dëshmi të rralla në zë të figurave dhe ngjarjeve më të rëndësishme të historisë botërore e asaj kombëtare. Kjo fonotekë reflekton dy momente të rëndësishme, që i japin asaj vlera të mëdha historike e arkivore.

E para, duke ju referuar teknikave të riprodhimit të zërit, si fonograf, gramafonë, si dhe disqe të prodhuara në fillim të shekullit 20-të e në vazhdim deri tek CD e ditëve tona, ajo mbetet një dëshmi e prekshme e historisë së lindjes e zhvillimit të teknikës së riprodhimit të zërit.

E dyta, fonoteka ka në përbërjen e saj pjesën më të madhe të krijimtarisë muzikore botërore në formën më të plotë kronologjike, duke filluar nga anonimate të viteve 1300 e duke vazhduar më pas me të gjitha etapat e zhvillimit të historisë së muzikës botërore, përfshirë këtu krijimtarinë e periudhës së Mesjetës, Klasiçizmit, Romantizmit dhe krijimtarinë e shekullit të 20-të me rrymat e saj kryesore.

E veçanta e kësaj Fonoteke është se një pjesë e madhe e krijimtarisë muzikore është interpretuar nga kompozitorët, Grig, Debysi, Ravel, Sen-Sans, Prokofiev, Rahmaninov, Stravinski, Shostakoviç, etj. Këto disqe kanë jo vetëm vlera të larta artistike, por edhe vlera të mëdha historike e studimore, pasi bëhet fjalë për mjeshtra të kompozicionit e të interpretimeve botërore.

Duke vijuar me elementet artistiko-kulturore të kësaj fonoteke, ka edhe mjaft disqe mbi teatrin, kinematografinë, shoun televiziv, etj. Në to spikasin artistë të mëdhenj si Lorenc Oliver, Çarli Çaplin, Frenk Sinatra, Merlin Monro, Sofia Loren, Marlon Brando, etj.

Një vend të rëndësishëm zenë aty dhe disqet me karakter historik. Këto disqe përcjellin zërat e personaliteteve të shquara të kulturës, politikës, e diplomacisë botërore nëpërmjet intervistave e fjalimeve të Leon Tolstoit, Thomas Edisonit, Ajnshtajnit, Gandit, Rusveltit, Çurçillit, De Golit, Kenedit, etj.

Përsa i përket trashgimisë kulturore kombëtare. Bëhet fjalë për artistë që i përkasin gjysmës së parë të shekullit të 20-të, elementë që spikatën në kulturën shqiptare të asaj kohe. Përmendim figura si Fan Noli, artistë si Aleksandër Moisiu, Tefta Tashko, Marije Kraja, Kristaq Antoniu. Është pllaka me meshën e parë shqip, realizuar nga Fan Noli në vitin 1908 dhe riprodhuar në 1978. Interpretime të Aleksandër Moisiut dhe Kristaq Antoniut. Interpretime të Tefta Tashkos dhe Marije Kraja. Ndodhen 17 pllaka me regjistrimet e muzikantit Spiridon Ilo, etj.

______

Burimi: Arkivi Shqiptar, viti 5, Nr. 1-2, 2004. fq. 215, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë, 2004.

arkiva2016Fonoteka